Lajme

Kosovë, nxënësit mësojnë për heroizmin e Jasharajve

23 vjet nga epopeja e lavdishme e UÇK-së në Kosovë, sot në të gjitha Shkollat nxënësit po mësojnë për historinë më të re, të sakrificës dhe heroizmit të familjes Jashari. Nxënësit e klasës së tetë të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë sot mësuan më shumë për Besartën, e vetmja që i mbijetoi sulmit ndaj familjes Jashari.

“Besoj që Besarta ka qenë një vajzë shumë e guximshme edhe pse ka qenë më e vogël se unë 2 vjet dhe ai veprim është shumë i guximshëm me e pa krejt familjen tënde të vdekur dhe me qenë ti e vetmja që je gjallë”, tha Diar Begolli, nxënës.

“Besoj që është ndjerë shumë keq kur i ka vdekur e gjithë familja, por prapë është krenare se krejt familja e vet ka flijuar për popullin shqiptar”, tha Greta Rrustemi, nxënëse.

Për të shënuar përvjetorin e 23-të të epopesë së UÇK-së, FSK-ja parakaloi në kazermën Adem Jashari në Prishtinë. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se brezat e ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Këtë javë, ushtarakët tanë do t’i përcjellim për misionin e parë paqeruajtës bashkë me forcat e garës së IOWA-së. Ju do ta ndërtoni emrin e ushtrisë sonë krah miqve tanë amerikanë. Ju po bëni historinë tonë të re, të shtetit që kontribuan në paqen globale”, deklaroi Vjosa Osmani, Ushtruese e detyrës presidente.

Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari në manifestimin qendror, Parada e FSK-së tha se shtetin e krijuan ata që nuk e kursyen as jetën,.

“Shtetin që e krijuam falë atyre që nuk e kursyen jetën e kemi amanet ta zhvillojmë. Në rrugën tonë duhet të jemi të bashkuar. Sot 24 vite pas falë punës së përbashkët kemi ushtrinë tonë”, theksoi Bekim Jashari, Kryetar i Skenderajt.

Në Prekaz gjatë ditës shumë qytetarë bënë homazhe tek varrezat e familjes Jashari. Ata u shprehën të mllefosur nga mungesa e dorës së shtetit për ruajtjen dhe konservimin e kullave të Jasharajve

“Është dashur të punohet më shumë sidomos në monumentet historike që duhet të riparohen, është për brezat e ardhshme”

“Këtu shteti ka neglizhuar çdo gjë. Ky vend është dashur të bëhet në lule, por gjithsesi është mjerim me pa në këtë gjendje këto kulla”

Në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi u rrethua nga forca të shumta ushtarake dhe policore serbe. Më 5 mars kishte nisur sulmi ndaj tyre e që zgjatë deri më 7 mars. 55 njerëz mbetën të vrarë në Prekaz ato ditë, 22 prej të cilëve nga familja e ngushtë e komandantit Adem Jashari.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button