Lajme

Filantropi Lazim Destani apel diasporës: Regjistrohuni, nuk është vetëm akt qytetar, por edhe akt kombëtar!

Filantropi shqiptar Lazim Destani ka adresuar sot një apel në drejtim të mërgatës shqiptare të Maqedonisë së Veriut, që të marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Destani, i cili është edhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, ka kërkuar nga mërgata që të tregohet si gjithmonë e gatshme dhe aktive për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes kombëtare, raporton Zeri.info.

“Le të tregohemi të vëmendshëm edhe tani në këtë moment historik, kur gjithsecili prej nesh, duke i dalë zot familjes dhe pronës së vet, do ta dëshmojmë se dimë t’i dalim zot hises që na takon në shtëpinë tonë të përbashkët”, ka thënë ai.

Apeli i plotë i filantropit Destani:

Apel mërgimtarëve nga Maqedonia e Veriut, REGJISTROHUNI!

Të nderuar pjesëtarë të diasporës sonë, qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut, përmes këtij apeli po ju drejtohem për ta theksuar e për ta risjellë në vëmendjen e çdonjërit peshën e jashtëzakonshme që ka akti i regjistrimit, pasi ky nuk është vetëm akt qytetar, por gjithsesi është edhe akt kombëtar, andaj regjistrohuni!

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës sonë, ju bëj thirrje të gjithëve kudo që ndodheni jashtë vendit, me punë e aktivitete anekënd botës.

Siç jeni në dijeni, tashmë gati dy dekada pas regjistrimit të fundit, nga data 1 mars, ka nisur regjistrimi i popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa përfundon më 21 prill.

Ashtu siç jemi treguar gjithmonë të gatshëm dhe aktivë për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes sonë kombëtare, le të tregohemi të vëmendshëm edhe tani në këtë moment historik, kur gjithsecili prej nesh, duke i dalë zot familjes dhe pronës së vet, do ta dëshmojmë se dimë t’i dalim zot hises që na takon në shtëpinë tonë të përbashkët.

Regjistrimi i popullatës së një vendi vërtet është një akt me karakter statistikor, por duke u bazuar në sistemin juridik e kushtetues që ka Maqedonia e Veriut, regjistrimi është shumë më shumë se thjesht statistikë. Sipas këtij sistemi, rezultatet e regjistrimit e përcaktojnë edhe bazën juridiko-kushtetuese për gjithçka që na takon si etni në këtë vend.

Ky është linku i aplikacionit të publikuar nga Enti Shtetëror për Statistikë, ku duhet të regjistroheni vetë, duke e plotësuar online formularin sipas udhëzimeve të dhëna:

https://census.stat.gov.mk/al/

Regjistrohuni sa më parë të jetë e mundur dhe pa humbur kohë, si dhe shpërndajeni njoftimin te të afërmit dhe miqtë tuaj që mund të jenë të painformuar!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button