Lajme

Dita e djeshme solli festë e gëzim në Bozovcë

Stina e verës është ajo periudhë e vitit kur në qytetin e Tetovës e në katundet përreth shtohet ndjeshëm gjallëria nga mërgimtarët tanë që vijnë për të kaluar pushimet e për t’i bërë dasmat në atdhe. Për çdo ditë e në çdo lagje, ashtu si në shumë qytete anembanë trojeve tona, dëgjohen këngë dasme e shihen kolona veturash të stolisura me flamuj kombëtarë.

Krahas gëzimit që sjellin dasmat, tashmë shumë katunde e kanë kthyer në traditë festën e quajtur, Takimi i Mërgimtarëve. Është stina e verës që atyre ua mundëson të takohen e të çmallen me shokët e fëmijërisë, me të afërmit e bashkëfshatarët.

Bozovca me banorët e saj ishin organizatorët e mrekullueshëm të Takimit të Mërgimtarëve që u mbajt dje në këtë katund të Sharrit plak, të njohur për tradita të bukura, për mikpritje e bujari. Organizatorët e këtij manifestimi i kishin ftuar madje edhe ata që tash e shumë vite e kanë lënë katundin dhe jetojnë në qytetin e Tetovës.

Të ftuarit në këtë festë dhe banorët e Bozovcës ishin mbledhur së bashku te vendi i quajtur, Pishat. Është ky një lokacion i pasur me drunj pishe e me bukuri të rralla natyrore, rreth 2-3 km mbi Bozovcë. Në mesin e bozovcasve që dje iu ngjitën Sharrit përpjetë kishte mjekë e profesorë, punëtorë e biznesmenë, ndër të cilët edhe Lazim Destani i cili në këtë katund e në këto kodra e ka kaluar fëmijërinë e tij.

Banorët e fshatit, ashtu si në takimet e kaluara, kishin përgatitur ushqimet e tyre tradicionale si, groshë,flija, hallvë për të gjithë pjesëmarrësit. Ndërsa madhështinë këtij takimi ia dha vallja dhe kënga e bukur shqipe që ka jehuar për jetë e mot në këto anë të malësisë. Aty ishin lodrat e curlat por edhe sharkia e çiftelia që ndoqën zërin e bukur të vëllezërve Sejdiu si dhe këngëtarëve të tjerë nga ky katund.

E shkurtër ishte dita e djeshme te Pishat në Bozovcë, ku krahas gjithë atij gëzimi pjesëmarrësit e shijuan edhe aromën e këndshme dhe freskinë që vetëm bjeshka ta jep në në këto ditë të nxehta vere.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button